Në vijim të maratonës së publikimit të programeve filmike që do shfaqen përgjatë këtij edicioni, PriFest shpalos listën e filmave të programit garues kryesor të festivalit, atij të filmave Ballkanik.
Programi i filmave të Ballkanit, i titulluar ‘Honey and Blood Program’, do të sjell këtë vit gjithsej 10 filma, prej të cilëve nga Kosova janë “Prishtina Story” me regjisore Burbuqe Berisha, “Rooftop Story” me regjisor Gazmend Nela dhe “The Return” (bashkëprodhim i Kosovës dhe Maqedonisë) me regjisor Kastriot Abdyli.
Tradicionalisht, programi i filmave të Ballkanit është një nga programet më interesante të festivalit dhe njëkohësisht edhe programi më i vizituar nga publiku. Një program ku autorët ballkanikë trajtojnë tema të ndryshme nga ky regjion i jashtëzakonshëm në Juglindje të Evropës. Me një titull simbolik, ashtu sic është edhe vet kuptimi i emrit Ballkan, ‘Gjak dhe mjaltë’ (Honey and Blood) ky program sjell një miks të autorëve tashmë të dëshmuar të rajonit dhe atyre debutues. Nga komedia deri te drama sociale, nga tema lufte deri tek filmat për të rinjë, dhe ajo që është shumë e veçantë, disa filma nga Kosova apo në koproduksion me Kosovën. Këta janë filmat ‘A Prishtina story’ dhe ‘Rooftop story’ nga autorët debutantë Burbuqe Berisha dhe Gazmend Nela, si dhe koproduksionet e Kosovës me Maqedoninë, ‘The Return’ nga Kastriot Abdyli dhe ‘Year of the Monkey’ nga Vladimir Blazevski.
Lista e filmave të Programit Garues Ballkanik - ‘Honey and Blood’:
Audienca e PriFest këtë vit mes datave 17-22 korrik do të mund të përcjellë filma në hapësirat e Teatrit Kombëtar (dy salla), Kinemanë nën qiellin e hapur te Sheshi “Zahir Pajaziti” si dhe në hapësirën tonë më të re,“Kino Armata”.
Gjithashtu, sikur në edicionet e kaluara, edhe sivjet PriFest ofron mundësinë e blerjes së kartelave “All in One”, të cilat kushtojnë 10 euro dhe mundësojnë përcjelljen e të gjitha filmave të festivalit. Për të marrë këtë kartelë mund të na shkruani në [email protected] apo të thirrni në zyrën e festivalit ( +38343714944), ndërsa biletat e filmave, të cilat kushtojnë 3 euro, mund t’i gjeni në biletoren e Teatrit Kombëtar gjatë ditëve të festivalit.
Directions - Stephan Komandarev
Në një periudhë 24 orëshe, fati i jetëve të disa njerëzve të ndryshëm do të ndikohet nga disa udhëtime me taksi. Të gjithë janë viktima të rënies së një kombi që po vuan. Këto tregime janë për dashurinë dhe indiferencën, përkushtimin dhe vetminë; të gjitha të lidhura nga një emision në radio që shtron pyetje por nuk jep pergjigje. Ky është një tregim për nevojën e një shoqërie për të gjetur një drejtim të ri, edhe nëse është ndërhyrës si operacion kirurgjik.
Directions - Stephan Komandarev / 103 min / Bullgari 2017
The Witch Hunter - Rasko Miljkovic
10 vjeçari Jovan ka vuajtur nga paraliza cerebrale thuajse që nga fillimi i jetës së tij. Kjo ka ndikuar shumë në jetën e tij të përditshme dhe e ka bërë atë të mendojë se është i padukshëm – veçanërisht për prindërit dhe miqtë e tij të shkollës. Në botën e imagjinatës së tij, në të cilën ai shumë shpesh struket, ai është i lire të jetë kushdo që dëshiron, të ketë superfuqi të heronjve për të cilat ëndërrojnë të gjithë.
Kjo aventurë i mundëson Jovanit një realitet përtej gjithçka që ka imagjnuar, por në mënyrë që ai të bëhet hero i vërtetë, duhet fillimisht ta pranojë vetën ashtu si është.
The Witch Hunter - Rasko Miljkovic / 86 min / Serbi , Maqedoni 2018
Men Don't Cry - Alen Drljević
Konfliktet e armatosura të 90-ave jo vetëm që shkatërruan dukshëm tokën e ish-Jugosllavisë, por edhe lanë plagët më të thella në kujtesën e secilit prej kombeve që u përfshinë në luftëra. Interpretime të ndryshme për të kaluarën e acartë ka poaq sa ka shtete të prekura nga tragjedia. Prandaj është e vështirë të presësh harmoni absolute kur më pak se dy dekada nga përfundimi i luftës një grup i veteranëve të ndryshëm mblidhen për disa ditë në një hotel të largët malor për një seancë terapeutike. Përkundrazi, një situatë e tillë e rrezikshme mund të ndizet papritur nga një fjalë e pamenduar ose nga një shikim i keq. Kjo për shkak se ish-ushtarët me kokëfortësi i ruajnë mashkullorësinë dhe paragjykimet e tyre, dhe refuzojnë ta ekspozojnë natyrën çnjerëzore të mizorive të kryera - prej tyre apo prej dikujt tjetër. Kjo dramë me regji të shkëlqyeshme tregon për mënyrën se si ne duhet së pari të mësohemi të ja falim vetës para se të ja falim tjerëve. Në të luajnë disa prej aktorëve më të mirë të Ballkanit. Përveç Sebastian Cavazza, që ka rolin e terapistit, një pacifist i përbetuar, filmi përfshinë edhe të shkëlqyerit Emir Hadžihafizbegović, Leon Luçev, Izudin Bajrović, Boris Isaković, Ermin Bravo, Boris Ler dhe Ivo Gregurević.
Men Don’t Cry - Alen Drljević / 100 min / Bosnje dhe Hercegovinë, Slloveni , Kroaci, Gjermani 2017
Year Of The Monkey - Vladimir Blazevski
Dy protagonistët kryesorë të kësaj komedie të zezë janë Tsobe, një burrë i varfër që punon si kujdestar në Kopshtin Zoologjik në Shkup, dhe Coco, një shimpanzë që banon në këtë kopsht. Tregimi lidhet me arratisjen e Cocos “nga robëria në liri”. Si rrjedhojë e të krizës ekonomike dhe nivelit të lartë të varfërisë, Tsoben e largojnë nga vendi i punës, por ati i premtojnë se do ta kthejnë nëse arrinë ta gjejë dhe kthejë shimpanzën e arratisur. Në këtë shtet të mjerë e të shkatërruar nga tranzicioni, shimpaza e arratisur dominon në media. Coco bëhet simbol i rezistencës dhe tendencave liberale, pasi ka arritur të arratiset nga rrethi i entropisë së përgjithshme. Kështu misioni i Tsobes për ta kapur shimpanzën e arratisur e bënë atë tradhtar. Një pjesë të këti tregimi absurd por komik e shohim nga perspektiva e Cocos. Ai është si një lloj pasqyre, dëshmitar i heshtur i botës së mërzitshme dhe njëkohësisht qesharake, e cila e ka humbur rrugën e duhur. Ai është arsye e paqëllimshme tragjikomike që i shtyen njerëzit t’i konfrontojnë frikat dhe frustrimet e veta. Madje ai bëhet flamur i revoltës, mosbindjes dhe i gjithçka që një person i zakonshëm nuk mund të jetë në një shtet të mjerë.
Year Of The Monkey - Vladimir Blazevski / 112 min / Maqedoni, Kosovë, Serbi 2018
Comic Sans - Nevio Marasović
Pasi u përpoq kot ta rregullojë marrëdhënien me të dashurën e tij, Alan Despot (30), një dizajner grafik i suksesshëm shkon në ishullin e Visit dhe e gjen veten të ndarë ndërmjet babait të tij të çuditshëm, ish të dashurës së tij dhe të fejuarit të saj të ri. Në situata dhe rrethana të reja, Alan do ta shohë jetën e tij nga një prespektivë e re.
Comic Sans - Nevio Marasović / 103 min / Kroaci 2018
Një tregim Prishtine (A Prishtina Story) - Burbuqe Berisha
Jeta e një çifti të ri të shtresës së mesme, Aurora dhe Beni, ndërron kur vajza e tyre, Fiona diagnostifikohet me leukemi dhe fillon sfida për të gjetur paratë për trajtim jasht vendi. Gjatë përpjekjes për t’i siguruar paratë, ata ballafaqohen me pjesën e errët të botës dhe përballen me beteja të ndryshme. Jeta e tyre e qetë dhe e lumtur merr kthesë drastike dhe ndërron tërësisht.
Një tregim Prishtine (A Prishtina Story) - Burbuqe Berisha / 85 min / Kosovë 2018
Rooftop Story - Gazmend Nela
Lumi ka vendosur t’i asgjësojë të gjitha sorrat e qytetit të tij. Ai i fajëson ato për humbjen e familjes së tij në një aksident në trafik. Ai takon Yllkën, e cila është në kërkim të djalit të saj, i cili u adaptua nga një familje pasi ajo e braktisi menjëherë pasi e lindi, para 5 vitesh. Ajo dëshiron ta marrë atë në ditlindjen e tij. Yllka dhe Lumi bëjnë një marrëveshje për ta ndihmuar njëri tjetrin në mënyrë që Lumi ti asgjësojë sorrat, dhe Yllka ta marrë djalin e saj përsëri. Kështu të dy fillojnë aventurën në të cilën e zbulojnë të kaluarën e tyre.
Histori majë kulmi (Rooftop Story) - Gazmend Nela / 75 min / Kosovë, Maqedoni 2017
The Smell of Money - Ahmet Boyacioglu
Karakterët e filmit jetojnë në periferi të Ankarasë: Mehmeti punon si taksist; Metini është pronar i çajtores dhe Adnani është gazetar i papunë. Kur Mehmeti ju tregon shokëve të tij për veprimet e turpshme dhe të paligjshme që bëjnë pasagjerët e tij, ata vendosin që ta instalojnë një kamerë për t’i inçizuar ata. Inçizimi i një biznesmeni që kishte ardhur në këtë qytet për pak ‘shfrenim’ paraqet një mundësi të mirë për ta shantazhuar atë. Marrëveshje eventuale i shpërblen ata mjaft mirë. Marrëdhëniet mes Mehmetit dhe Melekut, që jeton një kat mbi Adnanin, bëhen edhe më të ngushta. Një ditë, një dosje që i përket një organizate mafioze shtetërore mbetet në makinën e Mehmetit. Pas pak kohe, Mehmetin dhe miqtë e tij fillojnë t’i përcjellin disa “Burra me Syze”.
The Smell of Money - Ahmet Boyacioglu / 99 min / Turqi 2018
The Return - Kastriot Abdyli
Kjo histori bashkëkohore zhvillohet në një fshat ballkanik ku të vjetrit dhe të rinjtë, tradicionalja dhe modernja, lindorja dhe perëndimorja, të gjitha ndërthuren. Iliri, një i ri shqiptar nga Maqedonia që migroi në Francë, ka vendosur të martohet me një grua franceze me emrin Sabine (ndoshta nga dashuria, por ndoshta edhe për të siguruar lejen e qëndrimit). Për shkak të çështjeve ligjore (Iliri hyri në Francë me vizë falso) ai duhet të kthehet në fshatin e tij të lindjes për t’u martuar. Kjo duket si një mundësi e mirë për ta parë familjen e tij përsëri pas shtatë viteve, dhe për ta mësuar Sabinen më shumë për rrënjët e tij. Sidoqoftë, vizita e tyre e papritur bëhet e thartë kur babai i Ilirit, një burrë tradicional, e kupton se djali i tij është kthyer vetëm për t’u martuar me një grua të huaj dhe pastaj për tu larguar, duke e thyer premtimin që ja kishte dhënë dikur një vajzës nga fshati i tyre.
Kthimi (The Return) - Kastriot Abdyli / 84 min / Maqedoni , Kosovë 2018 (Film jo-garues)
Zer - Kazım Öz
Zer është tregimi i një kënge, i pëshpëritiur në veshin e Janit në shtratin e vdekjes së gjyshes së tij. Një e mbijetuar e Masakrës në Dersim, Zarife, e fsheh identitetin dhe të kaluarën në kujtesën e saj, me këtë këngë. I rritur në Qytetin e Nju Jorkut, Jan fillon një udhëtim përmes Kurdistanit, duke kërkuar të kaluarën e gjyshes së tij dhe vetvetën.
Zer - Kazım Öz / 110 min / Turqi 2017