“Fusha e mëllenjave” – Premierë kombëtare në natën e hapjes në PriFest

17.06.2019

Filmi debutues I regjisores Arzana Kraja “Fusha e mëllenjave” do të jetë filmi që do të shënojë hapjen zyrtare të edicionit të 11 të PriFest, në natën solemne të datës 16 korrik në Teatrin Kombëtar në Prishtinë.

Shtëpia filmike Circle Production ka vendosur që rrugëtimin e filmit, shfaqjen e parë publike, si premierë kombëtare jashtë programit konkurrues, ta fillojë në Kosovë duke e dhënë atë para publikut Kosovarë në PriFest.

Vjosa Berisha, kryesuese e festivalit shprehet e kënaqur me faktin se PriFest do të sjell përsëri një prodhim Kosovar në natën solemne të hapjes “ – Nata e hapjes së festivalit është mbrëmje e vecantë e festës dhe shënon një fillim të një jave përplot aktivitete të industrisë së filmit, premiera filmash nga mbarë bota dhe sjell shumë mysafirë të huaj në kryeqytet, andaj ne na gëzon fakti që këtë mbrëmje mund ta bëjmë edhe më të vecantë kur kemi prodhim vendor për të shfaqur. Fusha e mëllenjave do të shfaqet si projeksion special jashtë konkurrencës zyrtare. Ekipi I filmit me aktorë, regjisor, producent dhe anëtarë të tjerë të produksionit do të jenë prezent në natën e hapjes për të prezentuar punën e tyre, dhe kjo I jep edhe vet hapjes së festivalit një karakter më festiv. Filmi do të shfaqet në dy salla njëkohësisht, me distancë kohore prej 45 minutash. Arsyeja pse e bëjmë këtë është sepse hapsira në teater është e limituar kurse interesimi për të qenë në hapje të festivalit gjithmonë ka qenë shumë I madh. PriFest pothuajse cdo vit ka bërë një gjë të tillë duke e organizuar hapjen e festivalit në dy hapsira në mënyrë që të ofrojë më shumë mundësi për pjesëmarrje të atyre që duan të jenë prezent.”

Arzana Kraja, regjisore e filmit shprehet e lumtur për faktin që filmi do të prezentohet para publikut vendor: “- Çfarë i ndodh një idealisti të zhgenjyer? Çfarë ndodh kur ai tradhëtohet nga njerëzit që u besonte? Filmi është rrugëtim i një idealisti, i cili kthehet pas një kohe të gjatë për të zbuluar të vërtetën, por përfundon edhe më i hutuar. Jam e lumtur që filmi së pari do të shfaqet para audiencës vendore në hapjen e PriFest, pasiqë rrëfimi ka të bëjë me historinë e tri dekadave të fundit të Kosovës. Besoj që secili prej tyre do të mund të gjejë dicka edhe nga historia e tyre personale.”

Filmi “Fusha e mëllenjave” është prodhim I vitit 2019 nga shtëpia Circle Production me përkrahje nga Qendra Kinematografike e Kosovës, bashkëprodhuar me Britaninë e Madhe dhe Shqipërinë. Producent i filmit është Besnik Krapi, regjisore dhe skenariste Arzana Kraja dhe në rolet kryesore janë: Shkumbin Istrefi, Astrit Kabashi, Melihate Qena, Abdinaser Beka, Ilire Vinca, Art Lokaj, Çun Lajçi, Xhevat Qorraj, Adem Karaga, Irena Cahani, Xhevdet Doda, Shengyl Ismajli, Ilir Prapashica.

PriFest fillon me datën 16 korrik dhe hapja do të bëhet në dy hapsira në mënyrë të sinkronizuar. Së shpejti do të bëjmë publik programin e plotë. Cmimi I biletave për të parë filmat është 3€ dhe shitja e biletave do të menaxhohet nga Rave Travel, kurse për student, dhe persona mbi moshën 65 vjecare hyrja është gratis. Për më shumë informacione rreth shitjes e programit na përcillni në rrjetet sociale dhe në app PriFest.

#friendship #forever