Fokusi i PriFest 13: La Vague de la Femme Kosovare

11.08.2021

Përkundër të gjitha vështirësive, Kosova është bërë një histori suksesi në kinematografinë ndërkombëtare. Dhe për më tepër, gratë regjisore kanë pasur një ndikim të madh në skenën e festivaleve ndërkombëtare, dhe të gjitha përmes filmave debutues.

Një numër i madh i grave regjisore nga Kosova kanë pasur sukses nëpër festivale të ndryshme të botës dhe kjo është një arsye e fortë që Programi i Fokusit të PriFest këtë vit t’iu kushtohet pikërisht atyre.

“La Vague de la Femme Kosovare” është titulli i programit të këtij viti, i cili përmban 6 filma, 4 prej të cilëve kanë premierë kombëtare në edicionin e 13 të PriFest.

“Ne jemi të kënaqur dhe krenarë që prezantojmë një showcast filmash nga regjisore të reja dhe të shquara Kosovare. Programi do të pasohet nga disa panel diskutime gjatë festivalit, dhe jemi shumë të emocionuar sepse keto diskutime do bëhet me autorë dhe Casting Directors të shquar që do të jenë të pranishëm në PriFest”, tha drejtoresha e PriFest, Vjosa Berisha.

Gjithashtu pjesë e panel diskutimeve të këtij viti në programin Focus është regjisorja dhe skenaristja Kaltrina Krasniqi, e cila do të flasë për filmin e saj ‘Vera ëndërron detin’ i cili së shpejti do të ketë premierën botërore në IFF të Venecias.
Linja e plotë e: ‘La Vague de la Femme Kosovare’:

  1. Zgjoi nga Blerta Basholli, Kosovë- Zvicër-Maqedonia e Veriut, 84 min

Burri i Fahrijes është i zhdukur që nga lufta e Kosovës, dhe bashkë me dhimbjen, familja e saj ka edhe probleme financiare.
Për të mundësuar mbijetesën për familjen, ajo nis një biznes të vogël bujqësor, por në traditën patriarkale fshatare ku ajo jeton, ambicja e saj dhe tentimet për të fuqizuar veten dhe gratë tjera nuk shihet si gjë pozitive. Ajo lufton jo vetëm për të mbajtur familjen, por edhe kundër komunitetit armiqësor që pret që ajo të dështon.

  1. Andromeda Galaxy nga More Raca, Kosovë- Spanjë- Itali- Maqedoni e Veriut, 80min

Lidhja mes babait dhe vajzës eksplorohet. Ai është vejan 52 vjec, mekanik i papunë që jep me qera makinën për mbijetesë. Ajo ka qenë në jetimore. A mund të gjejnë një jetë më të mirë së bashku?

  1. Luaneshat e Kodrës nga Luana Bajrami, Kosovë- Francë, 83min

Diku në Kosovë, në një fshat të vogël, tri vajza të reja shohin se ëndrrat dhe ambicjet e tyre ngulfaten. Asgjë s'mund t'i ndal në kërkimin e tyre për pavarësi: është koha që t'i lëmë luaneshat të ulërijnë.

    1. NË KࣿËRKIM TË VENERËS nga Norika Sefa, Kosovë- Maqedoni e Veriut, 111min.

Nga një takim i çuditshëm, Venera e ndrojtur nis të vë në dyshim familjen e sajë patriarkale dhe të ndjekë Dorinën mendje-hapur,qëndrimi i fortë i së cilës nxit kurreshtjen e Venerës për të eksploruar më shumë.
Derisa Venera persiatet për kuptimin e jetës, filmi gradualisht shprehë një sens absurd të jetës: Me njerëz që fshehin një botë me emocione - nga poshtërimi,
faji e zhgënjimi. "Unë kurrë nuk i kam parë prindërit e mi të puthen" - thotë Venera.

5. Një tregim Prishtine nga Burbuqe Berisha, Kosovë, 85 min

 

Jeta e një çifti të ri të shtresës së mesme, Aurora dhe Beni, ndërron kur vajza e tyre, Fiona diagnostifikohet me leukemi dhe filon sfida për të gjetur paratë për trajtim jashtë vendit. Gjatë përpjekjes për ti siguruar paratë, ata ballafaqohen me pjesën e errët të botës dhe përballen me beteja të ndryshme. Jeta e tyre e qetë dhe e lumtur merr kthesë drastike dhe ndërron tërësisht.

  1. Zana nga Antoneta Kastrati, Kosovë- Shqipëri, 97 min

Zana është tregimi i Lumes, një grua shqiptare që jeton me burrin e saj Ilirin dhe vjehrrën e saj Remzijen në një fshat kosovar. Ajo ka humbur fëmijën e saj një dekadë më parë në luftë dhe tani është përhumbur nga tmerret e natës dhe nuk mund të mbesë shtatzënë. Të dëshpëruar për një fëmijë, familja braktis mjekësinë moderne dhe kërkon një shërues tradicional që mund ta kursejë atë. Lumja i nënshtrohet ritualeve dhe ekzorcizmave të përpunuara për ta larguar atë nga magjia e zezë që po shkakton infertilitetin e saj. Por kur ajo më në fund bëhet shtatzënë, e kaluara e saj e errët e kohës së luftës kthehet për ta torturuar atë dhe fëmijën e saj të palindur.