Filmi Kosovar “Histori në çati” në regji të Gazmend Nelës do të hap festivalin PriFest, mbyllja e festivalit me një tjetër film shqip “Kthimi” në regji të Kastriot Abdylit.
Në edicionin e dhjetë jubilar, PriFest ka vendosur që fokusin ta drejtojë në kinematografinë e Kosovës. Për hapjen dhe mbylljen e festivalit, PriFest ka përzgjedhur dy filma nga Kosova, me qëllim që të vazhdojë promovimin edhe më të madh të krijimtarisë vendore.
Edicioni i dhjetë i PriFest-it, që mbahet nga 17 deri 22 korrik, do të hapet me filmin“Histori në çati” (The Rooftop Story) të regjisorit Gazmend Nela, derisa filmi përmbyllës i festivalit do të jetë “Kthimi” (The Return) i regjisorit Kastriot Abdyli. Filmi i regjisorit Abdyli është edhe koproduksioni i parë zyrtar në mes Kosovës dhe Maqedonisë.
Sikur edhe çdo edicion, PriFest ka një program të vecantë Focus, ku prezenton krijimtarinë filmike të një shteti apo autori të vecantë, siç ishin në vitet e kaluara bashkëpunimet me Francën, Italinë, Japoninë, Amerikën Latine, Indinë, etj.
Këtë vit, PriFest ka në Focus: Kosovën.
Janë plot 11 filma nga Kosova të përzgjedhur për t’u shfaqur gjatë ditëve të festivalit në kategori të ndryshme, më shumë se çdo herë tjetër.Të gjithë filmat, me përjashtim të filmave “Martesa” dhe “Me dasht me dasht me dasht” të cilët do të shfaqen në kategori jo-garuese, 9 filmat e tjerë do të shfaqen për herë të parë në Kosovë (disa nga ta edhe në botë) në kuadër të PriFest-it.Që të gjithë 11 filmat janë bërë nga regjisorë vendor, prej atyre me një përvojë më të madhe e deri te emrat më të rinjë, ndërkohë që shumica e këtyre filmave janë përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.
Por, kjo nuk është e tëra. Brenda programit special Focus: Kosova, do të bëhet promovimi i Kosovës në shumë aspekte.
Kosovo ready to roll (Kosova e gatshme për xhirim) – është moto që do të përcjell tërë platformën e zhvillimit të industrisë së filmit PriFORUM, duke i dhënë rëndësi të veçantë promovimit të vendit për mundësi të xhirimit të projekteve filmike ndërkombëtare në Kosovë.
Do të organizohen prezentime të lokacioneve për xhirim në mbarë Kosovën për kineastët ndërkombëtarë, mysafirë të festivalit, si dhe prezentimi i projekteve filmike të Kosovës që janë në fazën e post-produksionit brenda programit PriView – Works in Progress. Poashtu do të promovohen kapacitetet e kompanive të produksionit, kapacitetet njerëzore, ekipet filmike si dhe aktorët kosovarë të gatshëm për angazhim në produksione filmike të huaja (Kosovo’s Rising Stars).
“Jemi shumë entuziast që në edicionin jubilar, do të kemi në fokus vendin tonë, Kosovën. Me një numër rekord filmash që do të shfaqen brenda javës së PriFest, audienca jonë do të ketë kënaqësinë e shijimit të veprave vendore kinematografike, disa prej tyre do të shfaqen madje për herë të parë te ne, pa filluar ende udhëtimin në festivalet ndërkombëtare, pra janë premiera botërore. Kjo na bën krenarë, dhe njëkohësisht e përmbush misionin tonë të festivalit, që përvec shfaqjes së kinemasë botërore në Kosovë, është edhe promovimi i kinematografisë vendore. Posaçërisht më gëzon fakti që nga 11 filmat e Kosovës, 3 janë bërë nga regjisore femra. Shpresoj që në vitet në vijim ky numër do të rritet.
Më gëzon poashtu fakti se do të prezentojmë edhe kapacitetet që ka Kosova për të mirëpritur produksionet e huaja filmike. Do ta bëjmë këtë në bashkëpunim me Shoqatën e Producentëve të Kosovës, Qendrën Kinematografike të Kosovës dhe një përkrahje të madhe do ta kemi nga Swiss Contact, një organizatë që e promovon Kosovën si vend turistik, kësaj rradhe do të jetë partner i yni për të promovuar lokacionet e xhirimit që ka Kosova duke organizuar dy ekskursione brenda festivalit për vizitë të këtyre lokacioneve. Do të ketë edhe shumë befasi të tjera që do t’i shpalosim në ditët në vijim”, theksoi Vjosa Berisha, drejtoreshë e PriFest.
Lista e plotë e filmave të Kosovës që do të shfaqen sivjet në PriFest:
1. ‘A Prishtina Story’ (Një tregim Prishtine), në regji të Burbuqe Berishës,
2. ‘Rooftop story’, (Histori në çati) në regji të Gazmend Nelës,
3. ‘The Return’ (Kthimi), në regji të Kastriot Abdylit
4. ‘Klithma’, në regji të Korab Lecajt,
5. ‘Martesa’, në regji të Blerta Zeqirit,
6. ‘Bini’, në regji të Erblin Nushit,
7. ‘Forgive me’ (Më fal), në regji të Besim Ugzmajlit,
8. ‘Gjumë dhe dashuri’, në regji të Arsim Halitit,
9. ‘Me dasht’ me dasht’ me dasht’’, në regji të Ilir Hasanajt,
10. ‘The Wheel’ (Rrota), në regji të Doki Qerimit.
11. ‘Dielli’, në regji të Mjellma Istrefit.
Audienca e PriFest, mes datave 17-22 korrik do të mund t’i përcjellë filmat në hapësirat e Teatrit Kombëtar (dy salla), Kinemanë nën qiellin e hapur te Sheshi “Zahir Pajaziti” si dhe në hapësirën tonë më të re,“Kino Armata”.
Gjithashtu, sikur në edicionet e kaluara, edhe sivjet PriFest ofron mundësinë e blerjes së kartelave “All in One”, të cilat kushtojnë 10 euro dhe mundësojnë përcjelljen e të gjithë filmave të festivalit. Për të marrë këtë kartelë mund të na shkruani në [email protected] apo të thirrni në zyrën e festivalit (+38343714944), ndërsa biletat e filmave, të cilat kushtojnë 3 euro, mund t’i gjeni në biletarinë e Teatrit Kombëtar gjatë ditëve të festivalit.
A Prishtina Story - Burbuqe Berisha
Jeta e një çifti të ri të shtresës së mesme, Aurora dhe Beni, ndërron kur vajza e tyre, Fiona diagnostifikohet me leukemi dhe fillon sfida për të gjetur paratë për trajtim jasht vendi. Gjatë përpjekjes për t’i siguruar paratë, ata ballafaqohen me pjesën e errët të botës dhe përballen me beteja të ndryshme. Jeta e tyre e qetë dhe e lumtur merr kthesë drastike dhe ndërron tërësisht.
A Prishtina Story - Burbuqe Berisha / 85 min / Kosovë 2018
Rooftop Story - Gazmend Nela
Lumi ka vendosur t’i asgjësojë të gjitha sorrat e qytetit të tij. Ai i fajëson ato për humbjen e familjes së tij në një aksident në trafik. Ai takon Yllkën, e cila është në kërkim të djalit të saj, i cili u adaptua nga një familje pasi ajo e braktisi menjëherë pasi e lindi, para 5 vitesh. Ajo dëshiron ta marrë atë në ditlindjen e tij. Yllka dhe Lumi bëjnë një marrëveshje për ta ndihmuar njëri tjetrin në mënyrë që Lumi ti asgjësojë sorrat, dhe Yllka ta marrë djalin e saj përsëri. Kështu të dy fillojnë aventurën në të cilën e zbulojnë të kaluarën e tyre.
Rooftop Story - Gazmend Nela / 75 min / Kosovë, Maqedoni 2017
The Return - Kastriot Abdyli
Kjo histori bashkëkohore zhvillohet në një fshat ballkanik ku të vjetrit dhe të rinjtë, tradicionalja dhe modernja, lindorja dhe perëndimorja, të gjitha ndërthuren. Iliri, një i ri shqiptar nga Maqedonia që migroi në Francë, ka vendosur të martohet me një grua franceze me emrin Sabine (ndoshta nga dashuria, por ndoshta edhe për të siguruar lejen e qëndrimit). Për shkak të çështjeve ligjore (Iliri hyri në Francë me vizë falso) ai duhet të kthehet në fshatin e tij të lindjes për t’u martuar. Kjo duket si një mundësi e mirë për ta parë familjen e tij përsëri pas shtatë viteve, dhe për ta mësuar Sabinen më shumë për rrënjët e tij. Sidoqoftë, vizita e tyre e papritur bëhet e thartë kur babai i Ilirit, një burrë tradicional, e kupton se djali i tij është kthyer vetëm për t’u martuar me një grua të huaj dhe pastaj për tu larguar, duke e thyer premtimin që ja kishte dhënë dikur një vajzës nga fshati i tyre.
The Return - Kastriot Abdyli / 84 min / Kosovë, Maqedoni 2018
Klithma - Korab Lecaj
Një dramë familjare e pasqyruar në pas traumën e përdhunimit seksual që ju ka bërë gjatë luftës dhe presioni që vjen nga publikimi i kësaj të vërtete, arrijnë t'i ç'rregullojnë sjelljet e Dinit në raport me gruan e tij dhe rrethin ku jeton. Dini ka patur fatin e keq që në mesin e shumë të tjerëve, është përdhunuar seksualisht gjatë luftës. E vërteta tashmë ka filluar të dalë dhe kjo gjendje e përkeqëson emocionalisht atë, duke e patur të vështirë të përballet me gruan dhe opinionin përballë këtij realiteti tragjik.
Klithma - Korab Lecaj / 27 min / Kosovë, 2018
Martesa - Blerta Zeqiri
Dasma e tyre është vetëm dy javë larg, dhe Anita e Bekimi po i bëjnë përgatitjet përfundimtare të ditës së tyre të madhe. Pavarësisht se janë duke pritur lajme për prindërit e Anitës, të cilët janë shpallur të zhdukur që nga Lufta e Kosovës në vitin 1999, dhe se të pranishëm janë familja kontrolluese e Bekimit, çifti duket se po menaxhon disi me përgatitjet. Por kur ish-dashnori homoseksual sekret i Bekimit, Noli, kthehet papritur nga jashtë, situata bëhet e ndërlikuar, veçanërisht kur Bekimi e kupton se Noli është ende në dashuri me të. Në mënyrë të pashmangshme, banketi i dasmës bëhet i ngarkuar me tensione kur fillon të zbulohet trekëndëshi i pazakontë i dashurisë.
Martesa - Blerta Zeqiri / 98 min / Kosovë, Shqipëri 2017
Bini - Erblin Nushi
Me shpërthimin e Luftës së Kosovës, Bini gjashtë vjeçar po mendon vetëm për gjënë e tij më të çmuar, një copë karamele. Kur papritmas atë dhe familjen e tij e fusin në një kamion të mbushur me njerëz, në rrethana ku u rrezikohet jeta, Bini mëson se përveç karameles mund të humbë shumë gjëra tjera të vlefshme atë ditë.
Bini - Erblin Nushi / 19 min / Kosovë, SHBA 2018
Forgive me - Besim Ugzmajli
Bazuar në ngjarje të vërtetë…
Bujari, një burrë i ri, manipulohet nga një hoxhë kosovar i cili e bindë atë për t’iu bashkuar grupeve terroriste që janë duke luftuar në Siri. Ai i bashkohet luftës dhe më pas kërkon nga Agroni, vëllau i tij i madh, që ta çojë edhe bashkëshortën e tij (të Bujarit) Mimozën në Siri. I tmerruar nga veprimet e Bujarit, Agroni e konfronton vëllaun dhe kërkon nga ai që të kthehet në Kosovë. Agroni mundohet ta parandalojë Mimozën që ajo të mos shkojë në Siri, duke shpresuar ta kthejë edhe vëllaun.Bujari e kërcënon Mimozën duke i thënë se do ta martojë një grua të vejë nëse ajo nuk i bashkohet në Siri.
Forgive me - Besim Ugzmajli / 14 min / Kosovë 2018
Gjumë dhe Dashuri - Arsim Haliti
Kumbulla në Fyt është një tregim për Astritin i cili bën gjithçka në fuqinë e tij për të shëruar vajzën e tij Zana, e cila për muaj të tërë ka rënë në koma pas një aksidenti me makinë. Astriti është ballafaquar me një vendim të vështirë dhe vendosë ta shesë shtëpinë në mënyrë që ta dërgojë vajzën e tij jashtë vendit për trajtim më të mirë mjekësor. Ndërkohë mjekët zbulojnë se Zana është shtatzënë, dhe kjo e tronditë Astritin. Astrit ballafaqohet me një problem, dhe në konflikt me gruan e tij, ai bënë përpjekje për ta gjetur babain e fëmiut të vajzës së tij.
Gjumë dhe Dashuri - Arsim Haliti / 75 min / Kosovë 2018
Me dasht me dasht me dasht - Ilir Hasanaj
Tre të rinj - një çift artistës që janë gati për t’u ndarë dhe vëllau apatik i regjisorit - i vizitojnë tre qytete gjatë tre muajve si pjesë e një projekti artistik ambicioz dhe transformues që krijon vepra muzikore dhe performuese të frymëzuara nga pyetja: Në çka beson? Duke udhëtuar nga Prishtina në Beograd e në Cyrih, secili mundohet t’i përgjigjet kësaj pyetjeje qendrore në punën dhe jetët e tyre, por si rrjedhojë e kësaj dalin pyetje tjera: A mund të ndryshojë njeriu? Qysh krijohet universi yt i brendshëm? Çfarë qëllimi ke? Ka fuqi dhe kënaqësi në pjesëmarrje, qoftë si artist, spektator apo person që thjeshtë shtron pyetje për botën. Me Dasht’, Me Dasht’, Me Dasht’ ofron një ballafaqim të afërt me kreativitetin dhe tregon se si dashuria është energjia prapa të gjitha formave të artit, krijimit dhe kuriozitetit.
Me dasht me dasht me dasht - Ilir Hasanaj / 91 min / Kosovë, Zvicër 2017
The Wheel - Doki Qerimi
Vështirësitë e një çifti të moshuar për të gjetur zgjidhje për ta paguar qiranë e dyqanit të tyre.
The Wheel - Doki Qerimi / 8 min / Kosovë 2018
Dielli - Mjellma Istrefi
Profesori i tregon studentëve të tij për mitin, dielli djegë gjithçka që prek, megjithatë qyteti jonë është i mbuluar nga retë, pra qytetarët ende jetojnë. Një studente është mjaft e guximshme, ja shpjegon profesorit se kjo teori nuk është e vërtetë, pasi që ajo ka parë diellin dhe është prekur nga rrezet e saj. Profesori vendosë t’i bashkohet për të dëshmuar se bota e ka gabim.
Dielli - Mjellma Istrefi / 12 min / Kosovë, Itali 2018