Paul Haggis, fitues i dy çmimeve Oscar, çmimeve BAFTA dhe Emmy, regjisor, skenarist dhe producent me karrierë 42 vjeçare në industri të filmit, do të vizitojë Kosovën i ftuar si mysafir nderi i PriFest – Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë – Prishtina International Film Festival. Ai do të nderohet nga festivali me çmimin Hyjnesha e Artë për të arriturat e tij dhe kontributin në kinematografinë botërore.
Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, Haggis do të merr pjesë në shumë aktivitete të cilat jo vetëm që do ta pasurojnë festivalin, por do t’i mundësojnë atij që të njihet nga afër me industrinë e filmit në vend dhe rajon. Përveç që do të merr çmimin Hyjnesha e Artë, ai do të merr pjesë edhe në një master klasë për anëtarë të industrisë së filmit dhe publikut, si dhe në një panel për të drejtat e njeriut. Një program i veçantë i filmit, “Tribute to Paul Haggis”, do t’i mundësojë publikut kosovar që të shohin filmat më të suksesshëm të Haggis si regjisor dhe skenarist.
“Ne në PriFest jemi shumë të lumtur që Paul Haggis do të merr pjesë në edicionin e sivjetëm”, tha Vjosa Berisha, Drejtoreshë e PriFest. “Për shkak të përvojës së Paul si filmbërës i shquar dhe themelues i organizatës Artists for Peace and Justice, ai përshtatet shumë natyrshëm në festivalin tonë”.
Mysafirin e nderin për këtë edicion e bëjnë të veçantë sukseset e tij që ka arritur përgjatë 42 viteve në karrierën filmike, prodhues i më shumë se 30 filmave, serialeve dhe programeve televizive, shumë prej të cilave kanë fituar çmime. Ai është gjithashtu skenaristi i parë në botë filmat e së cilit janë shpërblyer nga Akademia Amerikane e Filmit - Oscar për dy edicione të njëpasnjëshme (2005/2006). Sukseset e tij si filmbërës e bën filmi i njohur ‘Crash’. Për këtë film regjisori Haggis fitoi dy cmime Oscar, në dy kategori, si filmi më i mirë dhe skenari më i mirë, ndërkohë që filmit iu nda edhe Oscar për montazhën më të mirë. Për realizimin e këtij filmi Haggis ka punuar me aktorë të mirënjohur si Sandra Bullock, Terrence Howard, Chris "Ludacris" Bridges, dhe Michael Peña. Suksesi i tij vazhdoi me filmin ‘Million Dollar Baby’ në të cilin Haggis fillimisht u angazhua si skenarist e pastaj edhe si producent. Ky film i fitoi 4 çmime Oscar.
Edicioni i 9të i PriFest do të ndodh në datat 13-20 korrik në Prishtinë, dhe do të mbahet në shumë hapsira të ndryshme në qendër të Prishtinës. Hapsira kryesore e festivalit do të jetë Teatri Kombëtar, kurse do të ketë edhe shumë hapsira të tjera, përfshi edhe ato nën qiellin e hapur. Në ditët në vazhdim festivali do të shpalos edhe programin e vet, juritë ndërkombëtare, mysafirët që pritet të vijnë dhe shumë risi të tjera që do të sjellin fokusin në Prishtinë sa i përket industrisë së filmit në vend.
Paul Haggis është skenaristi i parë që i fitoi dy çmime të njëpasnjëshme Oskar për Filmin më të Mirë: me ‘Million Dollar Baby’ (2004), që ishte film me regji të Clint Eastwood, si dhe me ‘Crash’, regjinë e së cilit e bëri vet. Me ‘Crash’ Haggis fitoi në kategoritë Filmi më i Mirë dhe Skenari më i Mirë Origjinal. Ky film gjithashtu u nominua në katër kategori tjera, përfshirë kategorinë e regjisë. ‘Crash’ fitoi shumë çmime në vitin kur u lansua, prej shoqatave si IFP Spirit Awards, Screen Actors Guild dhe BAFTA.
Në 2006, në skenaret e Haggis u përfshinë dy prodhime të Clint Eastwood, ‘Flags of Our Father’ dhe ‘Letters from Iwo Jima’; ky i fundit ishte filmi i tretë i Haggis që u nominua për Oskar në kategorinë e skenareve. Ai gjithashtu ndihmoi me shkrimin e ‘Casino Royale’, film që u vlerësua shumë për ripërtëritjen e figurës së spiunit James Bond.
Në vitin 2007 Haggis e shkroi ‘In the Valley of Elah’. Ai ishte edhe regjisor e producent i këtij filmi. Në të luajtën Tommy Lee Jones, Charlize Theron dhe Susan Sarandon, e Jones me performancën e tij u nominua për Oskar në kategorinë e Aktorit më të Mirë.
Në vitin 2010 u lansua filmi i tij ‘The Next Three Days’, në të cilin luajtën Russell Crowe, Liam Neeson dhe Elizabeth Banks.
E në 2013 ai e shkroi dramën romantike e personale ‘Third Person’. Haggis ishte edhe regjisor i këti filmi, e në të luajtën Liam Neeson, Olivia Wilde, Mila Kunis, Adrien Brody, James Franco dhe Kim Basinger.
Së fundmi Haggis ishte regjisor i mini-serisë së HBO me gjashtë epizoda ‘Show Me a Hero’, në të cilën luajtën Oscar Isaac, Catherine Keener, Winona Ryder, James Belushi dhe Alfred Molina.
Aktualisht Haggis është duke bërë regjinë e një dokumentari të metrazhit të gjatë për krizën me AIDS në San Francisco, të titulluar ‘Ward 5b’.
Si njëri që i përkushtohet poaq çështjeve sociale sa edhe atyre private, Haggis është themeleus i Artists for Peace and Justice. Nën këtë ombrellë, shumë miq të tij të biznesit të filmave janë përkushtuar për të ndërtuar shkolla dhe klinika të rehabilitimit që u shërbejnë fëmijëve në lagjet e varfëra të Haitit (www.APJNow.org).
Aktualisht banon në Nju Jork.